|
ZMK i kerkon ERE mbikqyrje të specializuar ndaj faturimeve te OSSH pasi priten abuzime te renda pergjate muajit Maj e ne vazhdim Nr. Prot. 100503.1 Drejtuar: Entit Rregullator të Energjisë Dërgon: Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK Subjekti: Kërkesë për mbikqyrje të specializuar në lidhje me faturimet e energjisë elektrike nga ana e OSSHsë për muajin Maj 2010 dhe më tej Dt. 3 Maj 2010, Tiranë Të nderuar Zotërinj, Nisur nga detyrimi i OSSHsë i paralajmëruar dhe nga Ju për ndalimin përfundimtar të faturimeve aforfe për konsumatorët familjarë që nga 30 Prilli 2010, ZMK Ju kërkon që të ushtroni një rol të drejtpërdrejtë mbikqyrës në lidhje me faturimet që dotë bëhen që nga 1 Maji 2010 dhe më tej. Motivet e kërkesës sonë bazohen në dyshimin e ligjshëm se OSSH, ashtu siç ka bërë deri më tani, mund të shkelë ligjin dhe të realizojë ende faturimin aforfe dhe nga ana tjetër humbjet e pritshme nga mosfaturimet aforfe nëse do të zbatohet ligji për këtë zë financiar. Duke pasur parasysh paaftësinë e menaxhimit të OSSHsë nga kompania Ceke CEZ të demostruar prej 1 viti, ku në këtë rast mosvendosja e matësve të energjisë është një ndër momentet më të dukshme, ZMK ka dyshime serioze se OSSH do të mund të kompensojë humbjet që do ti shkaktohen nga mosfaturimet aforfe nëpërmjet “fryrjes” së faturave të energjisë ndaj konsumatorëve familjarë që kanë matës të energjisë elektrike çka do të ishte një dëmtim i rëndë i interesave të konsumatorëve sidomos atyre që janë të rregullt. Për këtë arsye ZMK i kërkon ERE që të organizojë edhe një fushatë informimi për konsumatorët për të rritur vëmendjen e tyre ndaj faturimeve aforfe apo të fryrjes së faturave nga ana e faturistëve të OSSH dhe ndërkohë ERE të ofrojë gadishmërinë e vet për të reaguar sa më shpejt ndaj informacioneve dhe ankesave të konsumatorëve apo të ZMKsë duke marrë angazhimet e nevojshme edhe për të hapur proçes gjyqësor ndaj OSSH në rast të abuzimeve të pritshme. Në rast se ERE do të reagojë me të gjithë forcën e duhur, jemi të bindur që OSSH do të abuzojë më pak. Sa më i fortë vullneti dhe angazhimi i ERE aq më i pakët do të jetë edhe abuzimi i OSSHsë ndaj konsumatorëve. ZMK është e gatshme të ofrojë bashkëpunimin e vet për të ndërmarrë një fushatë informimi të konsumatorëve dhe për pritjen e ankesave të tyre dhe dorëzimi pranë ERE. Me respekt Avokat Altin Goxhaj Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve |