Leter e Hapur Urgjente drejtuar AKEP

Leter e Hapur Urgjente drejtuar AKEP:

 

NDALONI MIRATIMIN E KONTRATES TIP
TE KONSUMATOREVE ME AMC,
SEPSE PO SHKELNI LIGJIN

ZYRA PER MBROJTJEN E KONSUMATOREVE

Drejtuar:
Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Për dijeni:
Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese
Organet e Medias Shqiptare
Shoqërisë Civile
Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës
Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Subjekti:
Letër e hapur e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – AKEP: “Të ngrihet miratimi i kontratës së tip të AMCsë me konsumatorët pasi nuk i është dhënë mundësia konsumatorëve apo përfaqësuesve të tyre të japin opinionet mbi këtë draft, ccka shkel ligjin Ligj Nr. 9918, dt.19.05.2008, Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe Ligjin Nr.9902, datë 17.4.2008 për mbrojtjen e konsumatorëve

Baza ligjore:
Ligj nr. 9918, dt.19.05.2008, për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, Neni 110, Këshillimi Publik, dhe Ligj nr.9902, datë 17.4.2008 për mbrojtjen e konsumatorëve, Pjesa V, Kushtet e padrejta të kontratave dhe përputhshmëria kontraktuale, Kreu I, Kushtet e padrejta në kontratat me konsumatorët, Neni 27, Kushtet e padrejta

Dt.4 Mars 2010, Tiranë

ZMK - Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve proteston ndaj vendimit të AKEP për të miratuar modelin e ri të kontratës së AMCsë me konsumatorët shqiptarë duke mos i dhënë mundësi përfaqësuesve të konsumatorëve të shprehen për këtë kontratë. Ky akt është vazhdim i historisë së injorimit të zërit të konsumatorëve që prej 10 vjetësh nga ERT dhe tashmë AKEP duke përjashtuar zërin e konsumatorëve në miratimin e drafteve të kontratave të kompanive telefonike mobile dhe fikse duke krijuar një situatë paligjshmërie në marëdhëniet kontraktuale midis kompanive telefonike dhe konsumatorëve shqiptarë.
Plani i AKEP për të miratuar me shpejtësi dhe pa u konsultuar me grupet e interesuara siç e kërkon dhe ligji, sot në dt. 4 Mars 2010 të kontratës tip të AMCsë më abonentët e vet, pavarësisht se ka një kërkesë të ZMKsë që në datë 23 Shkurt 2010 për seancë dëgjimore kur një ndër pikat ishte pikërisht kërkesa jonë për të shprehur qëndrimet tona mbi njëanshmërinë në kontratat e kompanive të telefonisë ku përfshihej normalisht si gjithë të tjerat edhe kompania AMC.

Prej 10 vjetësh të gjitha kontratat e konsumatorëve me kompanitë telefonike vuajnë në mënyrë të rregullt nga njëanshmëria e plotë në favor të kompanive telefonike dhe në dëm të konsumatorëve. Por nëse në 2003 psh nuk kishte kush të përfaqësonte interesat e konsumatorëve, në 2010, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve është një ndër zërat e fortë të konsumatorëve e njohur edhe në nivel ndërkombëtar, çka e bën mbledhjen e sotme të AKEP për miratimin e modelit të kontratës së AMC me konsumatorët pa dëgjuar paraprakisht palën e konsumatorëve, një mbledhje të dyshimtë për motivet e njëanshmërisë dhe mbi të gjitha një mbledhje që demostron hapur se kontrata e re e AMCsë me konsumatorët do të jetë një Kontratë e cila cënon rëndë interesat e konsumatorëve.

Entet rregullatore dhe autoritetet mbikqyrëse të tregut kanë për detyrë parësore të mbrojnë interesat e konsumatorëve dhe të krijojnë ekuilibra dhe balanca midis palëve, kur dihet shumë mirë se konsumatori përfaqëson palën vunerabël dhe të dobët përballlë fuqisë miliardëshe të superkompanive që kanë studio ligjore të tëra në dispozicion të plotë. Pikërisht kontratat janë i vetmi instrument që duhet të garantojnë mbrojtje për konsumatorët dhe duke pasur parasysh që ato në bazë ligjit formulohen paraprakisht nga kompanitë telefonike nga superavokatët e vet ndërkombëtarë duhet medoemos që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – AKEP që të dëgjonte paraprakisht edhe zërin e konsumatorëve shqiptarë nëpërmjet organizatave përfaqësuese apo nëpërmjet sondazheve dhe seancave publike dëgjimore me grupe përfaqësuese të konsumatorëve.

Ndaj edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve i kërkoi para një jave AKEPit të drejtën e një seance dëgjimore ku njëra ndër pikat ishte edhe paraqitja e pretendimeve për kontratat e kompanive telefonike. Por natyrisht, urgjenca e thirrjes së mbledhjes për miratimin e kontratës së AMCsë pa realizuar një seancë dëgjimore me konsumatorët tregon tendenciozitetin e pastër të AKEP për të përjashtuar konsumatorët nga shprehja e pretendimeve të tyre në kontratën me AMCnë duke favorizuar kështu hapur dhe në kundërshtim me ligjin kompaninë private.

ZMK konstaton me shqetësim se praktika e njëanshmërisë ekstreme në vendimarrjet e AKEP në favor të kompanive private dhe në dëm të konsumatorëve është në të njëjtën situatë edhe me kontratat e Vodafon, Eagle dhe Albtelekom.

Aktualisht konsumatorët shqiptarë disponojnë kontrata të papërshtatura me Ligjin e Konsumatorëve që nga mesi i viti 2008 pasi ato kontrata janë formuluar para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk i përgjigjen standardeve të reja të legjislacionit në fuqi çka i kthen në kontrata në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve shqiptarë.

AKEP ka lejuar këtë paligjshmëri prej 1 viti e gjysëm duke dëmtuar rëndë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe duke favorizuar kompanitë miliardere çka të bën të dyshosh për motivet e këtij pasiviteti.
Vendimi i AKEP për të miratuar me shpejtësi kontratën e re të AMCsë pa i lejuar konsumatorët shqiptarë që të dëgjohen para miratimit të kësaj kontrate është shkelje e ligjit bazë të marëdhënieve kontraktuale (Kodi Civil dhe Kodi i Proçedurës Civile) pasi një kontratë jo vetëm që duhet të firmoset me vullnetin e lirë të të dy palëve por edhe duhet të shprehë vullnetin e lirë të të dy palëve që në formulim.

Vendimi i AKEP është në kundërshtim edhe me legjislacionin që rregullon komunikimin elektronik në Shqipëri pasi AKEP ka detyrim për të organizuar seanca dëgjimore me publikun dhe ku ti jepet e drejta konsumatorëve dhe përfaqësuesve të tyre që tu dëgjohet zëri para se të merren vendime që ndikojnë mbi ta.

Po ashtu drejtuesit dhe zyrtarët e AKEP me mosveprimin e tyre për të ndaluar paligjshmërinë në marëdhëniet kontraktuale me konsumatorët shqiptarë rrezikojnë edhe dënimin penal bazuar tek shpërdorimi i detyrës për zyrtarët publikë.

Ndaj dhe ZMK i bën thirrje publike AKEP, që të ngrijë proçesin e vendimarrjes mbi kontratën e AMCsë dhe të organizojë sa më shpejt të jetë e mundur seancën dëgjimore që i ka kërkuar ZMK ku të paraqiten edhe pikëpamjet e konsumatorëve pasi tu jetë shpërndarë draft kontrata e përgatitur nga AMC pasi vetëm mbi të mund të jepen gjykimet dhe vlerësimet përkatëse.

Nëse AKEP do të bëjë veshin e shurdhër dhe do të ndërmarrë hapin e gabuar për të miratuar modelin e kontratës të përgatitur nga AMC pas dëgjuar zërin e konsumatorëve, atëhere ZMK do të ndërmarrë hapat e duhur ligjorë për të prapësuar këtë vendim të AKEP dhe do të çojë në Prokurori të dhënat e duhura për drejtuesit dhe zyrtarët e AKEP që vërtetojnë se ata kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dëmtuar interesat e qytetarëve dhe të institucioneve publike dhe private.

Për të gjithë këto probleme, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve do t’i drejtohet Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese për ti kërkuar AKEP të raportojë shkeljet e kryera dhe njëkohësisht do ti drejtohet Avokatit të Popullit për të ndërmarrë hapat e duhur për këtë qëllim.

Me respekt

Avokat Altin Goxhaj
Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve

Baza Ligjore:

LIGJ NR. 9918, DT.19.05.2008
PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

NENI 10
KËSHILLIMI PUBLIK

1. AKEP-i, në proccesin e përgatitjes së dokumenteve rregullatore për tregun e komunikimeve elektronike dhe përpara marrjes së vendimeve, të cilat kanë një ndikim të ndjeshëm në tregun e komunikimeve elektronike, është i detyruar të marrë dhe të vlerësojë mendimin e palëve të interesuara nëpërmjet këshillimit publik.
2. Në proccesin e këshillimit publik, AKEP-i publikon dokumentet rregullatore të propozuara dhe kërkon paraqitjen me shkrim të mendimit të palëve të interesuara, brenda një afati kohor të publikuar, i cili nuk duhet të jetë më pak se 30 ditë.
3. Në rast se AKEP-i e gjykon të nevojshme, kryen edhe seancën dëgjimore, ftohen palët e interesuara për të parashtruar mendimin për dokumentet rregullatore të propozuara.
4. Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni dhe para miratimit të dokumenteve rregullatore, AKEP-i duhet të publikojë mendimet dhe komentet e palëve të interesuara, duke respektuar konfidencialitetin e informacionit.

LIGJ NR.9902, DATË 17.4.2008 PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE

PJESA V
KUSHTET E PADREJTA TË KONTRATAVE DHE PËRPUTHSHMËRIA KONTRAKTUALE

KREU I
KUSHTET E PADREJTA NË KONTRATAT ME KONSUMATORËT

NENI 27
KUSHTET E PADREJTA

1. Kushti kontraktual, i cili nuk është negociuar veçmas, është i padrejtë në qoftë se shkakton pabarazi të ndjeshme dhe të dallueshme në të drejtat dhe detyrimet e palëve, që rrjedhin nga kontrata, në dëm të konsumatorëve.
2. Një kusht do të konsiderohet si i panegociuar veçmas, kur ai ka qenë hartuar më parë nga tregtari dhe, si pasojë, konsumatori nuk ka qenë në gjendje të ndikojë në përmbajtjen e kushtit, veçanërisht në tekstin e kontratës standarde, të formuluar më parë.
Në rast se disa aspekte të kushtit ose një kusht specifik kanë qenë të negociuara veçmas, nuk përjashtohet zbatimi i paragrafit të parë të pikës 2 te pjesa tjetër e kontratës, nëse një vlerësim i përgjithshëm i kontratës tregon se ajo është një kontratë standarde e formuluar më parë.
Kur tregtari pretendon se një kusht standard ka qenë i negociuar veçmas, barra e provës bie mbi të.
3. Padrejtësia e kushtit kontraktual do të vlerësohet duke mbajtur parasysh:
a) natyrën e mallrave dhe shërbimeve, për të cilat lidhet kontrata;
b) kohën e lidhjes së kontratës;
c) rrethanat shoqëruese të lidhjes së kontratës,
ç) kushte të tjera të kontratës ose kontratë tjetër, nga e cila është e varur.
4. Janë kushte të padrejta në kontrata të drejtat e tregtarit, kur:
a) përjashtojnë ose kufizojnë përgjegjësinë ligjore të shitësit ose furnizuesit, për shkak të vdekjes së konsumatorit ose dëmtimit personal të tij, si pasojë e një veprimi ose mangësie të tregtarit;
b) përjashtojnë ose kufizojnë në mënyrë të papërshtatshme të drejtat ligjore të konsumatorëve përballë tregtarit ose palës tjetër, në rast të një mospërmbushjeje, tërësore ose pjesore, apo përmbushjeje të pamjaftueshme nga tregtari të çdo detyrimi kontraktual, përfshirë të drejtën e zgjedhjes së kompensimit të borxhit ndaj tregtarit kundrejt çdo pretendimi, që konsumatori mund të ketë kundër tij;
c) e bëjnë një marrëveshje detyruese për konsumatorin, ndërsa furnizimi i shërbimit nga tregtari është subjekt i një kushti, realizimi i të cilit varet vetëm nga ai vetë;
ç) lejojnë tregtarin për të mbajtur shumën e paguar nga konsumatori, kur ky i fundit vendos për të mos e përfunduar ose përmbushur kontratën, pa parashikuar për konsumatorin marrjen e kompensimit të një shume ekuivalente nga tregtari, kur ky i fundit është pala që ndërpret kontratën;
d) i kërkojnë çdo konsumatori, i cili nuk arrin të përmbushë detyrimin e tij, të paguajë si kompensim një shumë të lartë joproporcionale;
dh) autorizojnë tregtarin të prishë kontratën, mbi bazë të lirë të të vepruari, kur një lehtësi e tillë nuk i është dhënë konsumatorit, ose lejon tregtarin të mbajë shumën e paguar për shërbimet ende të pafurnizuara nga ai, kur është vetë tregtari që prish kontratën;
e) i mundësojnë tregtarit t’i japë fund kontratës për një kohëzgjatje të pacaktuar, pa njoftim të arsyeshëm, me përjashtim kur ka bazë të rëndësishme për ta bërë këtë;
ë) zgjasin automatikisht një kontratë, që ka një afat kohor të caktuar, kur konsumatori nuk është shprehur ndryshe, kur afati i fundit kohor, që i lihet konsumatorit për të shprehur dëshirën për moszgjatje të kontratës, është i paarsyeshëm;
f) detyrojnë konsumatorin të mos anulojë kushtet, me të cilat ai nuk ka mundësi reale për t’u bërë i njohur, përpara përfundimit të kontratës;
g) i mundësojnë tregtarit të ndryshojë kushtet e kontratës në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme, që specifikohet në kontratë;
gj) i mundësojnë tregtarit të ndryshojë, në mënyrë të njëanshme, pa një arsye të vlefshme, çdo karakteristikë të mallit ose shërbimit që është për t’u ofruar;
h) parashikojnë për çmimin e mallit të përcaktohet në kohën e shpërndarjes ose lejojnë shitësin e mallit apo ofruesin e shërbimit të rrisë çmimet, për të dy rastet, pa i dhënë konsumatorit të drejtën e ndërsjellë për të anuluar kontratën, nëse çmimi përfundimtar është shumë më i lartë se çmimi, për të cilin ishte rënë dakord kur kontrata ishte përfunduar;
i) i japin tregtarit të drejtën për të përcaktuar nëse malli ose shërbimi i ofruar është në përputhje me kontratën ose i japin atij të drejtën ekskluzive për të interpretuar çdo kusht të kontratës;
j) kufizojnë detyrimin e tregtarit për të mbajtur angazhimet e marra nga agjenti i tij, ose i bëjnë angazhimet e tij subjekt të pajtimit me një formalitet të veçantë;
k) detyrojnë konsumatorin të përmbushë të gjitha detyrimet e tij, ndërsa tregtari nuk përmbush detyrimet e tij;
l) i japin tregtarit mundësinë të transferojë të drejtat dhe detyrimet e tij, sipas kontratës, kur kjo mund të shërbejë si pakësim i garancive për konsumatorin, pa pëlqimin e këtij të fundit;
ll) përjashtojnë ose pengojnë të drejtën e konsumatorit të ndërmarrë veprime ligjore ose të ushtrojë çdo kompensim tjetër ligjor, veçanërisht duke i kërkuar konsumatorit të paraqesë mosmarrëveshjet ekskluzivisht në arbitrazh të pambuluar nga dispozitat ligjore, duke kufizuar padrejtësisht të dhënat në dispozicion për të, ose duke i ngarkuar konsumatorit barrën e provës, e cila, sipas nenit 12 të Kodit të Procedurës Civile, i bie palës tjetër të kontratës.

NENI 28
KËRKESAT E TRANSPARENCËS

1. Në rastin e kontratave, ku të gjitha ose disa kushte që u ofrohen konsumatorëve janë të shkruara, atëherë këto duhet të paraqiten me një formulim të kuptueshëm. Në rast se ka dyshime rreth kuptimit të kushtit të kontratës, atëherë interpretimi është në favor të konsumatorëve.
2. Në rastin kur kushti konsiderohet i padrejtë, ai quhet i pavlefshëm nga koha që është lidhur kontrata. Kushtet e tjera kontraktuale mbeten detyruese për palët dhe zbatimi i mëtejshëm i kontratës është i mundshëm.