Kunder abuzimeve ne tregun e telefonise e internetit

ZMK fillon "LUFTEN" kunder abuzimeve ndaj konsumatoreve ne tregun e telefonise fikse dhe celulare, si dhe sherbimet e internetit

 

ZMK - ZYRA PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE

Nr. Prot. 100224.1
Drejtuar: Agjencisë Kombëtare të Komunikimeve Elektronike dhe Postare
Dërgon: Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK
Subjekti: Kërkesë për Seancë Dëgjimore për abuzimet e shumta që po u bëhen konsumatorëve shqiptarë në tregun e komunikimeve të telefonisë fikse dhe celulare dhe të shërbimeve të internetit
Dt. 24 Shkurt 2010, Tiranë

Të nderuar Zotërinj

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve konstaton që në tregun e komunikimeve elektronike dhe përkatësisht në tregun e komunikimeve të telefoninë celulare dhe fikse, në përdorimin e komunikimit online, ka abuzime të ndryshme në dëm të konsumatorëve shqiptarë duke përfshirë:
• abuzime me mesazhet duke faturuar mesazhe të dublikuara apo deri të të treplikuara në fushën e telefonisë celulare
• heqje te shërbimeve të caktuara në telefoninë celulare dhe fikse duke u zëvendësuar me shërbime të reja të pakërkuara të cilat kërkojnë pagesa më të larta dhe çorodisin konsumatorët
• ofrim shërbimesh në komunikimet e telefonisë celulare pa treguar koston e vërtetë të tyre për konsumatorët,
• abuzime me oferta në telefoninë celulare që në pamje të parë duken shumë të mira dhe më pas rezultojnë se prodhojnë efekte me pasoja shumë të rënda financiare për konsumatorët
• abuzime me shërbimet online duke mos ofruar shërbimin e kontraktuar në kohë apo sasi
• favorizime të tregut të zi duke iu hequr qytetarëve të drejtën e përdorimit në komunikimet telefonike nëpërmjet kabinave telefonike pasi mungojnë në treg kartat me parapagesë të telefonisë fikse
• rritje të paligjshme të çmimeve në treg nga kompani celulare nëpërmjet ofrimit të kartave me parapagesë të caktuara të cilat ofrojnë çmime më të larta se sa ai i vendosur nga AKEP
• dhe mbi të gjitha njëanshmëri e dukshme dhe e dëmshme në të gjitha kontratat e kompanive me konsumatorët

Për këto arsye dhe të tjera, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve kërkon organizimin e një Seance Dëgjimore me AKEP ku do të paraqiten pretendimet tona dhe që do të synojmë që t’Ju kërkojmë Juve që të merrni masat e duhura për të ndaluar këtë abuzim të vazhdueshëm që po ndodh përherë e më shumë me konsumatorët shqiptarë vetëm e vetëm për rritjen abuzive të fitimit nga kompanitë e shërbimit telefonik dhe online.

Ne e kërkojmë që Seanca të organizohet para datës 15 Mars 2010 e cila është Dita Ndërkombëtare e Konsumatorëve për arsye se pas kësaj date ne kemi axhendë të përshkallëzimit të reagimit konsumator. Konfirmimin për seancën dëgjimore e kërkojmë brenda datës 1 Mars 2010.

Me respekt dhe besim se ju do të merrni në konsideratë kërkesën tonë në mbështetje të së drejtës sonë në bazë të ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të legjislacionit shqiptar dhe rregulloreve të brendëshme mbi funksionimin e AKEP.


Me respekt


Avokat Altin Goxhaj
Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve