STOP rritjes se re te çmimit te biletave te autobuzeve

ZMK: STOP rritjes së re të çmimit ë biletave të autobuzëve nga Edi Rama

Avokati I Konsumatorëve Altin Goxhaj: Dyshime për interesa financiare të Edi Ramës në kompanitë e transportit urban në Tiranë

ZMK reagoi sot përballë Bashkisë Tiranë duke ngritur dyshime për afera korrupsioni të Kryetarit të Bashkisë Tiranë me kompanitë e transportit publik ndërqytetës për shërbimin e transportit të udhëtarëve në Tiranë.
Siç dihet, vetëm dje, Shoqata e Transportit Publik Ndërqytetas i kërkoi qeverisë ta kalojë këtë shërbim në varësi të pushtetit vendor pasi “vetëm kështu mund të rritet cilësia e tij.” Vetë Presidenti i kësaj Shoqate, Hazbi Parllaku, paraqiti disa kërkesa para qeverisë të cilat do të ndryshonin sipas tij situatën aktuale të transportit publik sidomos në Tiranë. “Në kuadër të decentralizimit të pushtetit, kërkojmë kalimin e kompetencave për caktimin e çmimeve të biletave dhe aboneve pranë Këshillave Bashkiakë të pushtetit vendor”, tha Parllaku.
Avokati i Konsumatorëve Altin Goxhaj reagoi sot përballë Bashkisë Tiranë duke e intepretuar këtë qëndrim të Shoqatës së Transportit si një lojë të Edi Ramës për të marrë kontrollin e çmimit të biletave me qëllim rritjen e tyre!
Avokati i Konsumatorëve Altin Goxhaj deklaroi përballë Bashkisë Tiranë:
“Dje pamë Shoqatën e Transportit Publik Ndërqytetas e cila kërkoi që kompetencat për çmimin e biletave të autobuzëve të Tiranës ti kalonin Bashkisë Tiranë ndërkohë që kjo argumentohej edhe me nevojën për ndryshimin e çmimit që për një kompani private kjo do të thotë rritje. Fakti që kompanitë e Transportit mendojnë se do të rrisin çmimin e biletave të autobuzëve nëse këtë kompetencë do ta ketë Bashkia Tiranë ngren dyshimin në se Edi Rama ka interesa të drejtpërdrejta financiare në kompanitë e transportit publik pasi cila mund të ishte arsyeja që Bashkia të kërkonte rritjen e çmimit të biletave të autobuzëve në favor të disa kompanive që inkasojnë 45 milionë dollarë në vit si pasojë e rritjes së çmimit një vit më parë me kërkesë të Bashkisë Tiranë. Edhe një vit më parë kompanitë e transportit publik pretenduan se ofrojnë kushte skandaloze dhe të papranueshme për pasagjerët sepse çmimi prej 20 lekësh i biletave nuk mbulonte dot kushte më të mirë. Sot çmimi është 50% më i lartë dhe kushtet janë po ato. Pretendimi se cilësia është e ulët prej çmimit është një lojë e babëzisë normale që ka çdo biznes për më shumë fitim por kjo kufizohet nga roli rregullator i shtetit në treg. Dihet shumë mirë se shërbimi i transportit urban të udhëtarëve nuk është një e drejtë private për të kryer biznes por një shërbim publik për të cilin kontraktohet privati dhe ku të drejtat janë të shtetit sepse kemi të bëjmë me një porosi publike.”
Në fund Z. Goxhaj shtoi: “Dje pretendimi i kërkuesve të rritjes së çmimit të biletës së transportit urban për ti kërkuar Qeverisë kalimin e kompetencave në pushtetin lokal për çmimin e biletave krijon dyshime të hapura për afera korruptive dhe interesa të errëta në pushtetin lokal Tiranë.”

Zyra e Shtypit pranë ZMK

12.10.09