|
STOP AKSESIT NDAJ PORNOGRAFISE QE KANE FEMIJET SHQIPTARE Drejtuar: Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve të Republikës së Shqipërisë Autoriteti i Komunikimeve Postale dhe Elektronike Dërgon: Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK Subjekti: Apel publik për të marrë masa ndaj fluksit televiziv, elektronik, dixhital, online dhe telefonik me pagese me përmbajtje pornorafike që aksesohet nga fëmijët shqiptar hapur apo me barriera të lehta dhe të kapërcyeshme Dt. 20 Nëntor 2009, Tiranë Të nderuar Zonja dhe Zotërinj Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve dhe pikërisht sot Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve gjen rastin të bëjë një apel publik për autoritetet rregullatore në fushën e imazhit dhe komunikimit elektronik mbi situatën e papranueshme të aksesit mbi pornografinë apo të materialeve me përmbajtje seksuale të papërshtatshme për fëmijët shqiptarë. Situata e rëndë: Nga të dhënat e siguruara nga vëzhhgimet e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve rezulton se: 1. Televizionet: Mediat televizive shqiptare analoge transmetojnë në orë të ditës në orare shumë të aksesueshme nga fëmijët programe muzikore dhe filma me përmbajtje seksuale krejtësisht të papërshtatshme për fëmijët. Video muzikore dhe filma me skena të plota seksuale apo devijante, me dialogje dhe kontekste të pastra seksuale krejtësisht të papërshtatshme për edukimin e fëmijëve, jepen në orare të paradites, të drekës dhe pasdites në shumë kanale televizive në të gjithë Shqipërinë. 2. Televizionet Dixhitale: Shumë media shqiptare dixhitale dhe analoge, transmetojne programe me përmbajtje të pastër pornografike dhe kodet e sigurisë familjare janë kthyer në barriera lehtësisht të kapërcyeshme për fëmijët shqiptarë pikërisht për hir të nivelit të ulët të njohurive praktike të prindërve dhe shkallës së lartë të njohurive të fëmijëve në përdorimin e pajisjeve elektronike. Pikat e shitjes së pajisjeve të transmetimit dixhital tokësor apo satelitor apo kabllor ofrojnë pak ose aspak këshillim për prindërit për përdorimin e kodeve të sigurisë për aksesin në kanalet pornografike. Po ashtu shumë filma me përmbajtje të papërshtatshme jepen në orët paradites, së drekës dhe të pasdites në kanalet pa kode sigurie. 3. Videotekat: Në videotekat shqiptare jepen me qera apo shiten video me përmbajtje të pastër pornografike për fëmjët nën 16 vjeç dhe nuk ka asnjë kufi për tregtimin e këtyre materialeve. Asnjë kërkesë për respektim të kufijve moshor. 4. Internet-Kafetë: Në internet-kafetë, lejohen fëmijë të vegjël që të përdorin faqe online me përmbajtje pronografike dhe për këtë administratorët e qëndrave të internetit ofrojnë asistencë dhe konsulencën e nevojshme të drejtpërdrejtë apo me linke të gatshme që sigurojnë këtë shërbim. Po ashtu në qëndrat e internetit janë krijuar hapësira në servera me materiale video me përmbajtje të pastër pornografike apo që nuk duhet të lejohen për fëmijët nën 16vjeç por që aksesi për fëmijët shqiptarë është i plotë (kemi me dhjetra raste të raportuara për akses tek fëmijë 7-10 vjeç). 5. Shërbimet Call Center: Në shërbimet telefonike të llojit ”call centre” ofrohen shërbime të bisedave apo të dëgjimit të historisë me përmbajtje të plotë erotike ku i jepet ky akses kujtdo përfshirë edhe fëmijët nën 16 vjeç duke përdorur barriera krejtësisht të kapërcyeshme pasi vetdeklarimi i moshës që disa linja e përdorin është krejtësisht i pavlerë. Në të dhënat e ZMKsë, të konsultuara me specialistë, profiti financiar nga aksesi i pornografisë nga fëmijët në Shqipëri kap një shifër prej 2 milionë eurosh në vit. Dhe të gjitha këto janë në kundërshtim me interesin e fëmijëve dhe shkelin hapur standartet e një edukimi të shëndetshëm për fëmijët nën 16 vjeç. Shoqëria shqiptare puritane në dukje, është krejtësisht indiferente ndaj këtij fenomeni me pasoja në formimin dhe edukimin psikologjik dhe seksual të fëmijëve shqiptarë. Rekomandimet: Mbikqyrja: Për këtë arsye ZMK, iu drejtohet Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektorike dhe Postale, që të ndërmarrin masa urgjente brenda kompetencave të tyre dhe të shikojnë ndërmarrjen e iniciativave ligjore për ritjen e kompetencave të tyre për ushtrimin e autoritetit të tyre rregulllator për të kufizuar sa më shumë të jetë e mundur aksesin e fëmijëve ndaj flukseve me përmbajtje pornografike apo të programeve me përmbajtje të papërshtatshme seksuale për fëmijët shqiptarë. Edukimi: Është e domosdoshme ndërgjegjësimi i publikut nëpërmjet fushatave edukative në media për rrezikun që ka sot media në influencimin negativ të formimit psikologjik të fëmijëve si pasojë e aksesit shumëdimensional në pornografi dhe në programet me përmbajtje të papërshtatshme seksuale për fëmijët. Kodi i Etikës kundër Pornografisë: Është e domosdoshme që të rritet kontrolli mbi mediat për përmbajtjen e programeve dhe bashkëpunimit me to për krijimin e një Kodi të Etikës kundër Pornografisë për programet që aksesohen nga fëmijët. Aftësim i Prindërve: Të kërkohet nga kompanitë e transmetimeve dixhitale dhe kabllore që të rrisin shkallën e informimit dhe aftësimit të klientëve mbi përdorimin e kodeve të sigurisë. Ndryshimi i praktikave të aksesit: Të detyrohen kompanitë e shërbimit “call center„ që të ndryshojnë praktikat e shërbimeve me përmbajtje të papërshtatshme seksuale që të reduktojnë sa më shumë të jetë e mundur aksesin e fëmijëve në këto shërbime. Kontrolle: Të ushtrohen kontrolle të fuqishme mbi videotekat dhe internet kafetë për të kërkuar moslejimin e ofrimit të shërbimit me qera dhe të tregtimit të materialeve me përmbajtje pornografike për fëmijët. Mbi bashkëpunimin: ër këto arsye, ZMK me qëllim rritjen e bashkëpunimit të institucioneve dhe rritjen e bashkëpunimit dhe partneritetit publik – privat – shoqëri civile, do të organizojë në fillim të Dhjetorit një tryezë të rrumbullakët për një Plan Veprimi të përbashkët për reduktimin e aksesit të fëmijëve në programet me përmbajtje të papërshtatshme seksuale dhe pornografike. Kujtesë: Gjejmë rastin t’ju kujtojmë se këto probleme, ashtu siç vlerësohet edhe në vendet më të zhvilluara, ndikojnë direkt dhe indirekt në rritjen e rrezikut që fëmijët të bien pre e pedofilisë. Me respekt Avokat Altin Goxhaj Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve |