|
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit: Kemi një vit që i kërkojmë Bashkisë afishimin e kontratës Marre nga Gazeta Shqip e dt. 29 Gusht dhe 30 Gusht 2009 Urbanët, qytetarët të zhgënjyer nga bashkia Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit: Kemi një vit që i kërkojmë bashkisë afishimin e kontratës Lorina Mixha Qytetarët e Tiranës janë të zhgënjyer nga kushtet e transportit urban. Ankesa të shumta, por edhe "nota" pesimiste për rritjen e cilësisë së shërbimit, janë raportuar pranë Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve. "Kemi udhëtuar me autobus. Mund të themi se ashtu si dhe ankesat e konsumatorëve, shërbimi i transportit urban nuk ka ndryshuar, nuk është përmirësuar aspak, edhe pas rritjes së çmimit të biletës nga 20 në 30 lekë", tha drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj. Sipas tij, transporti urban duhet të kishte ndryshuar rrënjësisht pas rritjes së çmimit të biletës, ndërsa Bashkia e Tiranës është struktura që duhet të ushtrojë kontrolle lidhur me plotësimin e kritereve të parashikuara në kontratë. "Kemi plot një vit që kërkojmë të pajisemi me kontratat e nënshkruara lidhur me shërimin e transportit urban për qytetarët. I jemi drejtuar Drejtorisë së Transportit, pranë Bashkisë së Tiranës, por edhe nëpërmjet lëvizjeve apo aktiviteteve të ndryshme zotit Enton Punavia, të na pajisje me kriteret që duhet të plotësojnë linjat për qytetarët", theksoi Goxhaj. Sipas tij, këtu është shkelur ligji për të drejtën e informimit publik, pasi bashkia në këtë rast duhet të bëjë transparente kontratat, e madje t‘i afishojë edhe ato online, sikurse aktivitetet apo procedurat e tjera të vendosura në web-in përkatës. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka tërhequr vëmendje lidhur me kontrollet e bashkisë, në dobi dhe mbrojtje të udhëtarëve, të cilët i mbajnë sytë nga bashkia, "avokatja" e halleve të tyre dhe shqetësimeve të përditshme, për të cilat shpesh paguajnë shumë shtrenjtë në krahasim me shërbimin e ofruar. "Duhet të jetë Bashkia e Tiranës ajo që të ushtrojë kontrolle, të jetë rregullatori mes kompanive që administrojnë transportin urban dhe t‘u ofrojë kryeqytetasve kushtet e parashikuara në kontratë. Ndërkohë që më vjen keq të them se iniciatorët dhe ideatorët e projektit për rritjen e çmimit të biletës kanë qenë pikërisht përfaqësuesit e bashkisë. Me një projektvendim ata i kanë kërkuar Këshillit të Ministrave të miratojë rritjen e çmimit të biletës nga 20 në 30 lekë", thekson avokati i konsumatorëve. Sakaq, një mënyrë për të shtuar fitimet e kompanive të transportit urban janë edhe reklamat apo mesazhet promocionale të ngjitura anekënd hapësirës së autobusëve. Gjatë fushatës zgjedhore s‘kemi parë asnjë nga autobusët e linjave pa fytyrën e kandidatëve më të rëndësishëm për deputet. Por pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre kanë fituar zgjedhjet, mësohet se u kanë lënë pa paguar dhe mbeten në borxh me kompanitë e shërbimit të transportit urban. Ende nuk është bërë një bilanc i saktë për faturat e borxheve... Sipas një studimi të pak kohëve më parë, rezulton se në Tiranë udhëtojnë çdo ditë mbi 225 mijë pasagjerë. Në këtë shifër përjashtohen ata që përfitojnë udhëtim falas. Sipas këtyre të dhënave, në Tiranë ka 234 stacione, në të cilat qarkullojnë 162 autobusë, të cilët ndalojnë 45 mijë herë çdo ditë. ZMK-ja publikon analizën për defektet e shërbimit Kushti: autobusët duhet të pastrohen çdo ditë Një e dhënë e re që vjen nga verifikimet e ZMK-së është edhe zbulimi i autorëve të një prej vjedhjeve që u bëhet qytetarëve të Tiranës. Sipas dëshmisë së disa shoferëve të linjave të Tiranës, arsyeja e vonesave të ardhjes së autobusëve në stacione është politika që ndjekin kompanitë private dhe publike, me qëllim që ato të mbushen sa më shumë me udhëtarë për të maksimalizuar fitimin, duke ulur koston. Gjithashtu mjetet që vihen në dispozicion në disa raste janë më pak se sa kontrata me bashkinë në varësi të ditëve apo të orëve të pikut. "Në lidhje me kushtet e higjienës dhe pastërtisë në mjete, të dhënat e sotme janë edhe më skandaloze. Automjetet jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre, personelit nuk i vendosen në dispozicion as mjetet më elementare të pastrimit", sqaron zyrtarisht ZMK-ja. Rasti më i mirë i pastrimit të tyre është larja me zorrë uji nga fatorinot apo shoferët një herë në disa ditë. Gjithashtu një tjetër detaj i nënvizuar në analizën e Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit është edhe fakti që autobusët janë kthyer në vatra të infeksionit. Fatorinot nuk janë të siguruar dhe për pasojë nuk kanë as librezë shëndetësore, siç e kërkon edhe ligji. Duke pasur parasysh kontaktin e një fatorinoje me mijëra qytetarë çdo ditë, mungesa e një diagnostikimi mjekësor e bën fatorinon një bartës potencial të sëmundjeve infektive. Ligji ka përcaktuar që disa kategori profesionale, që përfshin edhe fatorinot, duhet të kenë librezë mjekësore që vërteton se ata nuk vuajnë nga sëmundje infektive, të cilat mund të rrezikojnë publikun si pasojë e llojit të punës që kryen personi. Për të gjitha këto, ZMK do të kërkojë pranë Institutit të Shëndetit Publik një informacion se çfarë është bërë deri tani për kushtet higjienike në të cilat ushtrohet shërbimi i transportit urban në Tiranë. Urbanët, qytetarët "llogari" në bashki Secili qytetar mund ta kërkojë kontratën në bazë të ligjit për informimin publik Çdo qytetar, i cili kërkon të njohë kushtet me të cilat duhet të udhëtojë me 30 lekë të reja në njërën nga linjat e urbanit në kryeqytet, mund ta kërkojë informacionin pranë Bashkisë së Tiranës. Çdo institucion, duke përfshirë këtu edhe bashkinë e kryeqytetit, kanë për detyrim të sqarojnë qytetarët e thjeshtë, opinionin publik nëpërmjet mediave, por edhe organizatat jofitimprurëse, të cilave iu nevojitet informacioni. Detyrimi për t‘u përgjigjur, si edhe për të qenë transparent me publikun parashikohet në ligjin për të drejtën e informimit publik. Ndërkohë që kontratat duhet të jenë të afishuara në web-in zyrtar të Bashkisë së Tiranës. "Kontratat e nënshkruara mes shtetit dhe privatit duhet të jenë të publikuara, në mënyrë që konsumatori të jetë në dijeni të kushteve që duhet të ofrojë sot transporti urban. Ndërkohë që të gjitha kriteret që duhet të përmbushen nga linjat, shërbimi që i ofrohet qytetarit duhet të afishohet për udhëtarët, qoftë edhe nëpërmjet internetit", sqaron kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Altin Goxhaj. Sipas tij, në bazë të ligjit për informimin publik, secili nga kryeqytetasit mund të marrë informacion të saktë dhe të bollshëm lidhur me detyrimet që ka shteti për t‘u ofruar taksapaguesve shërbimin e transportit. Nga të dhënat e mbledhura nga ZMK-ja rezulton se informacioni publik i Bashkisë Tiranë për këtë shërbim është krejtësisht jashtë standardit të transparencës, sepse mungon plotësisht e dhëna bazë, që është numri i udhëtarëve, d.m.th. mungon numri i konsumatorëve, çka është bazë e vetme që përcakton edhe eficensën ose jo të këtij shërbimi. Bashkia ka publikuar të dhëna për numrin dhe emrat e linjave, kompanitë që i mbulojnë, numrin e mjeteve në dispozicion, oraret e shërbimit, kohën teorike të pritjes në stacione dhe në mënyrë topografike jepet edhe numri i stacioneve nëpërmjet hartës së linjave të transportit. "Të gjitha këto të dhëna janë në rastin më të mirë të paplota dhe në rastin më të keq janë të rreme. Siç është rasti i orareve të shërbimit apo kohës së ndalesave, të cilat nuk i përgjigjen fare realitetit. Në këtë pikë kemi të bëjmë me një konfuzion të qëllimshëm, me të cilin është abuzuar nga të gjitha palët e interesuara për të ruajtur apo keqësuar situatën financiare apo të përfitimit të shërbimit nga ana e konsumatorëve", sqaron ZMK-ja. Sipas të dhënave të studimit të Zyrës së Konsumatorit, rezulton se në Tiranë çdo ditë udhëtojnë minimumi mbi 225 000 pasagjerë, me status paguesi të biletës apo të pajisur me abone. Numri i paktë i linjave, shtrirja e tyre në pjesët më të populluara, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës së udhëtimit dhe rritja e çmimit të karburantit për lëvizjen me mjete private, si edhe rëndimi i trafikut të përgjithshëm, niveli i lartë i varfërisë dhe i rritjes së kostos së përgjithshme të jetesës janë faktorë që ndikojnë realisht në rritjen e kërkesës publike për shërbim transporti urban të udhëtarëve. |