|
1 MAJ, ora 12:00 perballe Kryeministrise: STOP ABUZIMIT BANKAR ME RROGAT E PUNETOREVE SHQIPTARE Nr. Prot. 90501.1 Drejtuar: Dr. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë Dërgon: Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK Dt. 1 Maj 2009, Tiranë I nderuar Z. Kryeministër Sot është 1 Maj, Dita e Punëtorëve, ditë e cila në të gjithë botën përkujtohet nëpërmjet një reflektimi publik ndaj situatës së të drejtave social-ekonomike të punonjësve dhe duke reaguar për më shumë të drejta dhe standarte. Një nga çështjet më të rëndësishme për qytetarët në Shqipëri ka qenë dhe do të mbetet dhe për shumë vite niveli i pagave në të gjithë sektorët. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve e cila është edhe një ndër subjektet më përfaqësues në Shqipëri të zërit të qytetarëve, ka konstatuar prej vitesh një situatë të rëndë abuzimi në dëm të qindra mijë punonjësve në të gjithë Shqipërinë të cilët e marrin pagën nëpërmjet sporteleve të bankave të nivelit të dytë apo nëpërmjet sporteleve të institucioneve të tjera financiare jobankare. Të gjithë punonjësit shqiptarë që marrin pagën në këto subjekte asnjëherë nuk marrin pagën e plotë sipas kontratës që kanë me punëdhënësit e tyre. Ata janë të detyruar që të paguajnë komisione bankare dhe tarifa për një shërbim për të cilin nuk kanë asnjë detyrim. Në këtë mënyrë të gjithë punonjësit e Shqipërisë humbasin cdo vit miliona euro nga rrogat e tyre ndërkohë që punëdhënësit ia faturojnë këtë shërbim në mënyrë të paligjshme punonjësve të tyre megjithëse çdo përgjegjësi është e tyre dhe e mënyrës se si ata kanë përzgjedhur dhe kanë kontraktuar bankat e nivelit të dytë apo institucionet e tjera financiare jobankare. Sipas Kodit Civil dhe Kodit të Punës, kryerja e detyrimit financiar të punëdhënësit ndaj punëmarrësit në dhënien e pagesës realizohet në momentin që punëmarrësi tërheq shumën e parave që i takojnë sipas kushteve kontraktuale dhe jo kur punëmarrësi bën biznes me një institucioni të ndërmjetëm financiar. Punëmarrësi nuk ka si punëdhës bankën apo çdo sportel tjetër të ndërmjetëm, ndaj dhe pëgjegjësia për kostot e shërbimit i takojnë vetëm punëdhënësit dhe askujt tjetër. Prej vitesh ky system i dhënies së pagave i ka kushtuar xhepin të punonjësve të Shqipërisë dhjetra miliona euro, para këto që i janë zbritur punonjësve të Shqipërisë nga rrogat në favor të institucioneve financiare bankare dhe jobankare dhe punëdhënësve. Për këtë arsye Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK pasi ka studiuar prej muajsh sistemin e pagesave në sportelet bankare dhe jobankare të kontraktuara për këtë qëllim, ka arritur në përfundimin se sitemi aktual i pagesave ka këto parregullsi: 1. Punonjësve u mbahet nga rroga një tarifë e caktuar shërbimi në formë komisioni e cila shkel marëdhëniet kontraktuale financiare që kanë punonjësit me punëmarrësit pasi sportelet e institucioneve bankare dhe jobankare ofrojnë shërbimin në emër të punëmarrësit (I përzgjedhur në marëdhënie kontraktuale nga vetë punëdhënësit dhe jo nga punëmarrësit). Kjo praktikë ka sjellë dhjetra miliona euro abuzim në dëm të xhepave të punonjësve në të gjithë sektorët dhe në të gjithë nivelet, qëndrore dhe lokale. 2. Punëdhënësit përzgjedhin institucionet financiare që do të kryejnë shërbimin e dhënies së pagave për punonjësit e tyre në mënyrë të njëanshme dhe jo në marëveshje të drejtpërdrejtë me çdo punonjës çka dëmton interesat e drejtpërdrejta financiare të punëmarrësve të cilat mund të kenë marëdhënie të tjera kontraktuale preferanciale me subjektet bankare dhe jobankare në varësi të historisë së tyre personale. Kjo ka sjellë disfavore të mëdha financiare dhe të padrejta për punonjësit në të gjithë sektorët dhe në të gjithë nivelet, qëndrore dhe lokale. 3. Punëmarrësit nuk kanë të drejtë të realizojnë preferencat e tyre pa kosto në përzgjedhjen dhe ndryshimin e subjekteve financiare në të cilat ata duhet të marrin pagat dhe të kryejnë veprime të tjera financiare në favor të interesit të tyre më të mirë. Kjo praktikë i sjell çdo vit humbje financiare dhe vështirësi burokratike të pallogaritshme dhjetra mijë punonjësve në të gjithë sektorët dhe në të gjithë nivelet, qëndrore dhe lokale. Për këto arsye, ZMK, në 1 Maj 2009, në Ditën Zyrtare të Punëtorëve iu paraqet një propozim të drejtpërdrejtë që brenda muajit Maj 2009, Ju të miratoni një VKM e cila të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e mbajtjes së komisionit dhe të çdo tarife tjetër nga pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore në sportelet bankare dhe jobankare dhe Ministria e Financave të nisë punën për hartimin e legjislacionit të nevojshëm që do të zgjidhë problemet e mësipërm si në sektorin publik dhe atë jopublik. Bashkangjitur ZMK ju ka paraqitur edhe një draft të shkurtër i cili paraqet një model të zgjidhjes ligjore të problemit përkatës. Me bindjen e plotë se Ju dhe Këshilli i Ministrave do të merrni në shqyrtim sa më shpejt të jetë e mundshme shqetësimin tonë duke i dhënë zgjidhjen më optimale të mundshme, JU UROJMË JUVE PUNË TË MBARË DHE I UROJMË TË GJITHË PUNONJËSIT E SHQIPËRISË GËZUAR FESTËN E 1 MAJIT! Me respekt Avokat Altin Goxhaj Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve Ja dhe Projekt VKM-ja e peropozuar nga ZMK: P R O J E K T - V E N D I M V E N D I M Nr. xx, datë xx.05.2009 PËR PRAKTIKAT FINANCIARE TË DHËNIES SË PAGAVE NËPËRMJET BANKAVE TË NIVELIT TË DYTË DHE SUBJEKTEVE TË TJERA FINANCIARE JOBANKA PËR PUNONJËSIT E INSTITUCIONEVE BUXHETORE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8487, datë 13.5.1999 “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe ligjit …. me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Të gjithë punëmarrësit të cilët e marrin pagën e punës nëpërmjet sporteleve të bankave të nivelit të dytë dhe subjektet e tjera jobankare, nuk duhet t’u mbahet asnjë komision bankar dhe nuk kanë asnjë detyrim që të paguajnë ndonjë tarifë shërbimi gjatë tërheqjes. 2. Cdo detyrim financiar për kryerjen e këtij shërbimi financiar është përgjegjësi kontaktuale e punëdhënësit me institucionin financiar që kryen shërbimin. Punëmarrësi nuk ka asnjë detyrim financiar në kryerjen e këtij shërbimi. 3. Ministria e Financave duket të ndërtojë të gjitha aktet e nevojshme normative për të garantuar zbatimin e këtij Vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E M I N I S T R I S A L I B E R I S H A |